Mbledhje solidariteti dhe ndihme për shqiptarët e Kosovës

 

Asnjë nga ne nuk është i lirë përsa kohë që Kosova

nuk do të jetë e lirë

 

BRONX

"Asnjë nga ne nuk është i lirë përsa kohë që Kosova nuk do të jetë e lirë", tha këshilltari i Bronxit, Josè Rivera, duke parafrazuar fjalët e demokratit të madh amerikan Martin Luther King, në një mbledhje të komunitetit të Bronxit për solidaritet dhe ndihmë për shqiptarët e Kosovës.

Kjo mbledhje u zhvillua të shtunën, më 1 maj, në sheshin e vogël para parkut "Christopher Columbus", me inciativën e presidentit të distriktit të Bronxit, Fernando Ferrer, dhe të këshilltarit të Bronxit, Josè Rivera.

Ky shesh i vogël në "Little Italy" të Bronxit, ku banojnë dhe kanë bizneset e tyre apo vijnë për të bërë pazarin gjatë uikendit shumë shqiptarë, jehoi për disa orë me radhë nga thirrjet "Free Kosova", "UÇK", "USA".

Në shesh ishte ngritur një tribunë provizore, në të cilën ishin varur flamurët amerikan dhe shqiptar, si dhe parrullat: "Të shpëtojmë fëmijtë e Kosovës", "Ndalni genocidin në Kosovë", "Ne mbështesim NATO-n" etj.

Reverend Monsinjor John A. Ruvo i Kishës Our Lady of Mt. Carmel, e cila frekuentohet nga shumë shqiptarë, duke e bekuar këtë mbledhje, tha midis të tjerash: "I lutemi zotit që të shpëtojë vëllezërit dhe motrat tona në Kosovë nga vuajtjet… I lutemi zotit të na ndihmojë që me zemërgjerësi dhe bujari të presim dhe të ndihmojmë shqiptarët nga Kosova, të cilët së shpejti do të jenë midis nesh. Ne i lutemi zotit që të vendoset paqja në Ballkan dhe shqiptarët të kthehen në trojet e tyre të dashura".

Në fjalën e tij lutëse, presidenti i Organizatës së Klerikëve Hispanikë të New Yorkut, reverend Ruben Diaz, iu lut gjithashtu zotit që të vendosë drejtësinë dhe të shpëtojë popullin shqiptar nga vuajtjet.

Këngëtarja e mirënjohur Merita Halili këndoi pastaj himnin kombëtar amerikan dhe atë shqiptar.

Këshilltari Rivera, që ishte iniciatori kryesor dhe drejtuesi i kësaj mbledhjeje së bashku me presidentin Fernando Ferrer, dha që në fillim një njoftim, që u prit me brohori gëzimi :

"Ju njoftoj, tha ai, se tre ushtarët amerikanë janë liruar" . "Ne jemi të gëzuar që ata janë liruar dhe kthehen në shtëpi. Por ne duam që edhe vëllezërit e motrat tona kosovare të shpëtojnë nga vuajtjet dhe të kthehen në shtëpitë e tyre".

Pastaj këshilltari Josè Rivera tha midis të tjerash në fjalën e tij se "Millosheviçi vazhdon genocidin e filluar para shumë vjetësh kundër shqiptarëve të Kosovës".

"Ai shfrytëzoi bisedimet e paqes, - tha zoti Rivera, - për të grumbulluar forcat ushtarake dhe për të bërë genocidin në Kosovë. Ne kërkojmë nga shteti ynë dhe NATO që të vazhdojnë presionet mbi Millosheviçin deri sa ai të mos ketë larguar trupat nga Kosova, që shqiptarët të kthehen në shtëpitë e tyre dhe të gëzojnë të drejtën për vetëvendosje".

"Populli i New Yorkut që ka përkrahur dhe mbështetur luftën për liri të popullit të Afrikës së Jugut dhe të Irlandës së Veriut, përkrah dhe mbështet sot luftën e popullit shqiptar të Kosovës për të jetuar i lirë në një Kosovë të lirë", tha duke përfunduar zoti Rivera.

Mbledhjen e përshëndeti presidenti i distriktit të Bronxit, zoti Fernando Ferrer, i cili ndërmjet të tjerash tha:

"Ne e dimë kontributin e madh që keni dhënë ju shqiptarët për komunitetin tonë, prandaj edhe jemi mbledhur sot këtu. Gjenocidi që po ushtrohet në Kosovë ka zemëruar të gjithë botën. Prandaj dhe Shtetet e Bashkuara vendosën të ndërhyjnë".

Pastaj ai tha se shqiptarët e Kosovës "kanë nevojë për veshmbathje, për ngrohtësi dhe për ushqime. Ata kanë nevojë për ndihmën tonë që të ndalet genocidi".

Ai përgëzoi spitalin e St. Barnabasit që dhuroi një makinë të ndihmës së shpejtë dhe 20 mijë dollarë medikamente, farmacinë Mont Carmel që dhuroi 2000 dollarë medikamente dhe bëri thirrje që të ndiqet shembulli i tyre.

Presidenti Ferrer tha se ne do t’i themi Organizatës së Kombeve të Bashkuara se i presim krahëhapur refugjatët shqiptarë, por ne duam që ata të kthehen sa më shpejt në vendin e tyre, në Kosovën e lirë.

"Ne përkrahim presidentin Clinton dhe NATOn në fushatën e tyre të bombardimeve kundër Jugosllavisë", tha zoti Fernando Ferrer, presidenti i distriktit të Bronxit.

Zoti David R. Kuhn, i cili punon avokat në New York, tregoi shkurt për eksperiencën e tij në Shqipëri, ku ai kaloi të gjithë kohën e pushimeve të tij duke ndihmuar refugjatët shqiptarë në zgjidhjen e problemeve të tyre.

Në mbledhje folën dhe shprehën solidaritetin dhe përkrahjen e tyre për popullin shqiptar të Kosovës edhe këshilltarë dhe asamblistë të tjerë të Bronxit dhe të distrikteve të tjera të New Yorkut, si zotërinjtë: Josè Morales, Jeff Klein, Stenley Schlein, Madeleine Provenzano etj.

Në mbledhje folën edhe mjaft shqiptaro-amerikanë, si zotërinjtë Gani Perolli, Esad Rizai, Marian Cubi, ish botuesi i "Illyrisë" Hajdar Bajraktari, Shaqir Gjonbalaj etj. Ata falenderuan liderët e qytetit të New Yorkut, presidentin Clinton për solidaritetin dhe mbështjen e popullit shqiptar në këto ditë të vështira.

Nga të pranishmit u mblodhën 1560 dollarë për të blerë medikamente, si dhe mjaft veshmbathje dhe ushqime për refugjatët shqiptarë të Kosovës.

Këshilltari i Bronxit, zoti Josè Rivera tha se mbledhje të tilla solidariteti me popullin shqiptar të Kosovës do të zhvillohen edhe në distriktet e tjera të New Yorkut.

Botuar në gazetën "Illyria", New York, 4 Prill 1999

 

 

Back to Top